U zhvillua në Kukës aktiviteti “Ditë Informuese mbi Rrjetin Europian të Ndërmarrjeve”, i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve(AIDA). Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm dhe përfaqësues të bizneseve nga qarku Kukës.

Rrjeti Europian i Ndërmarrjeve është një instrument i rëndësishëm në strategjinë e BE-së, i cili sjell së bashku rreth 600 organizata mbështetëse të biznesit nga më shumë se 60 vende të botës. Shqipëria është pjesë e EEN nga viti 2012, si një strukturë e kryesuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Gjatë këtij aktiviteti, përfaqësuesja e AIDA-s Znj. Migena Muslli, si koordinatore e Rrjetit Europian të Ndërmarrjeve në Shqipëri, ka bërë një prezantim të “EEN Albania” dhe mundësitë që ky rrjet ofron për kompanitë Shqiptare në gjetjen e tregjeve dhe partnerëve ndërkombëtare, duke ofruar dhe këshilla praktike mbi mundësinë e të bërit biznes në një vend tjetër.

Gjithashtu, përfaqësuesja e AIDA-s Znj. Albana Zykaj, bëri një prezantim të fondeve të AIDA-s dhe veçanërisht fondeve në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ku kompanitë shqiptare të interesuara, duhet të plotësojnë formatet përkatëse dhe ti paraqesin pranë AIDA-s, e cila i publikon ato në databazen e rrjetit duke i bërë disponibël për të përfituar nga shërbimet e EEN.