Forum Biznesi Shqipëri – Maltë, 17-18 Shkurt 2016

Në datat 17-18 shkurt, në ambjentet e Hotel Tirana International është organizuar nën kujdesin e veçantë të Agjencisë Shqiptare të zhvillimit të Investimeve – AIDA, me mbështetjen e EEN, në vëmëndje të plotë të presidentëve të Maltës dhe Shqipërisë, Trade Malta, dhe Biznes Albania, Forumi i Biznesit Shqipëri –Maltë.

Forumi Ekonomik Shqipëri-Maltë, veçanërisht ka bashkuar krerët e dy shteteve, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani dhe Presidenten e Republikës së Maltës, Znj. Marie-Louise Coleiro Preca, Z. Arben Ahmetaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Z. Christian Cardona, Ministër i Ekonomisë, Investimeve dhe Biznesit të vogël të Maltës, përfaqësues të tjerë të qeverisë, grupe të interesit dhe përfaqësues të organizatave të biznesit.

AIDA si institucioni kryesor në organizimin e këtij eventi, u përfaqësua nga drejtori ekzekutiv Z. Genti Beqiri, i cili gjatë fjalës së tij theksoi impaktin e rëndësishëm që kanë marrëdhëniet ndërmjet vendeve në zhvillimin dhe shfrytëzimin e mundësive ekonomike.

Pjesa e parë e këtij Forumi u fokusua pikërisht në konstatimin e marrdhënieve diplomatike të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe mundësive për thellim të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Prezenca e presidentëve të dy vendeve Z. Bujar Nishani dhe Znj. Marie-Louise Coleiro Preca, legjitimon dhe një herë faktin se marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Maltës konsolidohen në vijimësi. Vendi ynë i është shumë mirënjohës shtetit Maltez për implementimin e disa projekteve në Shqipëri, në fushat e shëndetësisë, arsimit e ndihmës sociale ashtu sikundër i jemi mirënjohës politikës malteze e cila është një partnere e Shqipërisë drejt rrugës për në integrimin Europian.

Gjatë pjesës së dytë të këtij forumi, u detajua në terma konkretë bashkëpunimi, u prezantuan tiparet identifikuese të tregjeve respektive, potenciali që përbën secili treg, urat lidhëse mes dy vendeve në terma të marrëdhënies ekonomike të vendosur tashmë dhe përqasja e politikave të dy vendeve në kuadër të bashkëpunimeve të mëtejshme.

Trade Malta në bashkëpunim me AIDA, në kuadër të anëtarësimit në rrjetin EEN bashkuan në takime B2B pesëmbëdhjetë përfaqësues të kompanive më të rëndësishme të Maltës në sektorë të tillë si: infrastrukturë, turizëm, energji, akuakulturë, shërbime konsulence, që për dy ditë me rradhë u takuan me partnerët e tyre shqiptarë për të shkëmbyer përvoja dhe për të ndarë interesa të përbashkëta
Evente të këtij lloji do të japin shtysën e duhur që numri i bizneseve malteze në Shqipëri të vijë në rritje, kjo edhe nëpërmjet suportit të institucioneve shqiptare të cilët tashmë garantojnë një rrjeti të plotë shërbimesh drejt kërkesave të biznesit të huaj.