Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, lider i konsorciumit shqiptar të Rrjetit Europian të Ndërmarrjeve (EEN Albania), merr pjesë në Eventin Ndërkombëtar të Network-ut ‘International Networking Event’ i cili po mbahet sot në Brindisi të Italisë.

Drejtori Ekzektiv i AIDA-s, Z. Genti Beqiri po i njeh të pranishmit me rolin që agencia luan në rritjen e konkurrueshmërisë së SME-ve shqiptare, në tërheqjen e investorëve të huaj si dhe veçanërisht mbi progresin e arritur nga EEN Albania. Gjithashtu, AIDA po paraqitet në këtë event me disa projekt-ide, duke synuar hapjen e rrugëve të reja të bashkëpunimit dhe ndarjen e eksperiencave me përfaqësues nga institucione publike, universitetet, institucione publike dhe private të kërkimit dhe teknologjisë.

‘International Networking Event’, i cili ka në fokus Programet e Bashkëpunimit Territorial Europian “IPA ITALI-SHQIPËRI-MAL TË ZI” dhe “INTERREG ITALI-KROACI”, organizohet nga ENEA dhe Unioncamere Puglia, anëtarë të Rrjetit Europian të Ndërmarrjeve (EEN), në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe partnerë të tjerë europianë.